Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në Akademinë Përkujtimore në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, tha se 15 janari kujton ditën më të rëndë dhe më të tmerrshme të popullit shqiptar.
Edhe në akademi, Basha nderoi 45 civilët e vrarë nga forcat serbe. “Sot, me peshë të madhe në zemër, e përkujtojmë një prej ditëve më të rënda dhe më të dhimbshme të historisë tonë kombëtare, 15 janarin e vitit 1999 ku në fshatin Reçak forcat serbe morën barbarisht jetën e 45 qytetarëve tanë të pafajshëm, në mesin e të cilëve gra, burra, pleq e fëmijë”, tha Basha.
Pos tjerash, Basha tha se në atë kohë, Reçaku nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë.
“Atë botë, Reçaku u bë pasqyra më e qartë e terrorit sistematik që u bë ndaj popullit tonë. Masakra e Reçakut e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë të Sllobodan Millosheviqit”, tha ai.
Po ashtu, kryeparlamentari falënderoi përzemërsisht Ambasadorin William Walker, për pasqyrimin e masakrave të Kosovës në mbarë botën.
