Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi të martën një takim me demokratët e degës 11 në Tiranë në kuvendin zgjedhor të kësaj partie.
Ai u shpreh se PD është e qartë në qëndrimin e saj, duke mbështetur 100% SPAK, ndërsa theksoi se Rama është bërë pishman për drejtësinë e re tani që SPAK ka nisur të veprojë.
“Tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri pas tjetrit, i janë turrur për ta sulmuar. Dhe kjo nuk është kohë për dilema, por për qëndrime të qarta: e mbështesim apo jo drejtësinë. Përballë kemi një kastë politikanësh që për 33 vjet nuk kanë pyetur për ligjin. Ndaj, këta politikanë duhet t’i pyesim: Duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un? Tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un. E kuptojmë Edi Ramën që është bërë pishman për drejtësinë e re. A nuk është kjo koha që opozita t’i qëndrojë në krah për të vënë para ligjit pandëshkueshmërinë. Si mund të jesh kundër drejtësisë, kur je kundër korrupsionit? PD e ka zgjidh këtë dilemë, 100% në mbështetje të SPAK-ut dhe drejtësisë”, tha mes të tjerash Basha.