Pas homazheve në Prekaz, Basha vazhdon edhe te Rugova e Demaçi

Pas homazheve në Prekaz, Basha vazhdon edhe te Rugova e Demaçi

Disa ditë pasi doli në pah artikulli kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku ai ishte bashkëautor, Kryeparlamentari Dimal Basha ka bërë sot homazhe në Prekaz, e pastaj edhe tek varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova dhe tek ai i veprimtarit Adem Demaçi.

Basha ka thënë se Prekazi është vendi ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të familjes Jashari.

“Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, ka shkruar Basha.

Për Rugovën ka thënë se shtriu rrugën drejt shtetësisë sonë dhe e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte Pavarësia, dhe asgjë më pak.

“Më tej, nderimet i vazhdova te varri i Bacës Adem Demaçi, një nga pishtarët më të ndritshëm të lirisë, shembull i një qëndrestari të paepur i cili guxoi gjatë tërë jetës së tij. Burgimi i tij shërbeu si simbol i rezistencës për popullin tonë, që pastaj u vlerësua edhe me Çmimin Sakharov, ndarë nga Parlamenti Evropian në vitin 1991”, ka shkruar Basha.

Homazhet i ka përfunduar te Memoriali “Heroinat”, “ku përkujtojmë mbi 20,000 gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës nga regjimi fashist i Millosheviqit”.

“Dhunimi ndaj tyre u përdor si armë lufte kundër popullit tonë dhe kjo mbetet një nga plagët më të rënda. Nderimi ynë për to është i përjetshëm, ndërsa kjo plagë nuk mund të shërohet asnjëherë derisa të arrihet drejtësia e plotë”, ka shkruar Basha.

Në fund ka thënë se është obligim dhe detyrë e përhershme që ta vazhdohet rruga që ata trasuan me veprat e tyre.

Në këto homazhe, atij i është bashkuar edhe nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.

Basha ka thënë se kontributi i tij në punimin kundër UÇK-së që nxiti reagime të shumta është vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.

Ai tha se akuzat ndaj tij janë të ulëta, teksa ka pohuar se çmon luftën e shenjtë të UÇK-së.

Basha në fund akuzoi edhe mediat duke pretenduar për “raportime të rreme”.

Disa ditë më pas, ai ka kërkuar falje për artikullin.

Related Articles