Masakrën e Srebrenicës të 27 vjetëve më parë e ka kujtuar sot edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca ka thënë se Serbia vazhdon ta mohojë dhe të mos e dënojë gjenocidin që ka kryer në Bosnjë dhe në Kosovë.
Ai shtoi se “mijëra kriminelë serbë ende nuk janë ballafaquar me drejtësinë, ndërsa bashkëpjesëmarrësit në gjenocidin kundër myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës janë në krye të Serbisë”.
“Sot është “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, e shpallur nga Parlamenti Evropian. 27 vjet më parë, forcat serbe të Bosnjës, të ndihmuara nga Serbia, vranë dhe masakruan mbi 8000 burra, djem, pleq dhe fëmijë të mitur myslimanë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurtë nga Kombet e Bashkuara”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
“Sikur shumë vende në rajon dhe më gjerë, Kuvendi i Republikës së Kosovës kohë më parë ka miratuar Rezolutën përmes së cilës njohu dhe dënoi gjenocidin serb në Srebrenicë”, shtoi ai.
“Serbia vazhdon ta mohojë dhe të mos e dënojë gjenocidin që ka kryer në Bosnjë dhe në Kosovë. Mijëra kriminelë serbë ende nuk janë ballafaquar me drejtësinë, ndërsa bashkëpjesëmarrësit në gjenocidin kundër myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës janë në krye të Serbisë”.
“Srebrenica, Reçaku, Krusha, Meja…, janë vetëm disa nga vendkrimet më të mëdha në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, janë plagë e hapur, dhimbje e pafund dhe drejtësi e munguar!”.