Gani Jakupi u bë emër i njohur në Kosovë pasi u bë publike kontrata që ai kishte lidhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të ofruar shërbime si konsulent për Ambasadën Kosovës në Bruksel.
Këtij njeriu me “shpirt artisti”, iu dhanë hiç më pak se 7 mijë e 500 euro në muaj ose 90 mijë euro në vit, e për këtë pagë të majme reagimet ishin të shumta.
Por, pavarësisht revoltës së publikut Jakupi vazhdoi punën për Kosovën në Evropë, por atij po i dalin telashe nga brenda. Majlinda Bregasi, bashkëpunëtore e Gani Jakupit, e ka denoncuar këtë të fundit rreth dyshimeve për disa vepra penale në Departamentin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës. Bregasi dhe Jakupi kanë themeluar bashkërisht një organizatë joqeveritare.
Kështu ka raportuar portali “Sateliti” që drejtohet nga gazetari Vullnet Krasniqi.
“Ekziston dyshim i bazuar se z. Gani Jakupi, në cilësinë e bashkëthemeluesit të OJQ-së, i ka falsifikuar dokumentet e OJQ’së dhe të njëjtat i ka dorëzuar në institucione publike me rastin e aplikimit për projekte të caktuara dhe po ashtu dokumentet e falsifikuara i ka përdorur me rastin e nënshkrimit të kontratave me institucionet publike, ku nga këto kontrata i dyshuari ka përfituar dhjetëra mijëra euro”, thuhet në denoncimin e Bregasit që e ka siguruar “Sateliti”.
Tutje theksohet se “ekziston dyshimi i bazuar se z. Gani Jakupi, në cilësinë e bashkëthemeluesit të OJQ’së e ka përdorur dhe shfrytëzuar llogarinë bankare të OJQ’së për të pranuar pagesa personale nga persona të tretë”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se z. Gani Jakupi, derisa ka qenë i angazhuar si këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) e ka përdorur OJQ’në për të nënshkruar kontratë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe ka pranuar pagesa nga MKRS në shumën prej dhjetëra mijëra euro”.
Jakupi akuzohet nga Bregasi se “ka nxjerrë vendime të kundërligjshme për dhe në emër të OJQ’së”.
Po ashtu po akuzohet për veprat penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, shpëlarje parash, shmangie nga tatimi, mashtrim, konflikt i interesit, falsifikim i dokumenteve, mashtrim me subvencione.