Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e Jeffrey Epstein, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së të hënën.
Maxwell u paraqit virtualisht për një dëshmi me dyer të mbyllura nga burgu i Teksasit ku po vuan një dënim me 20 vjet burg për trafikim seksual.
Kryetari i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, tha se “siç pritej”, Maxwell iu referua Amendamentit të Pestë, duke zbatuar të drejtën e saj për të heshtur.
Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së SHBA-së u jep amerikanëve të drejtën për të shmangur vetë-inkriminimin duke refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve ndërsa janë nën betim.
Përfaqësuesja demokrate Melanie Stansbury u tha gazetarëve pas seancës dëgjimore se Maxwell e shfrytëzoi mundësinë.
Comer tha se nga biseda me të mbijetuarit e Epsteinit ishte e qartë “se Maxwell ishte një person shumë i keq” e cili nuk meritonte asnjë lloj imuniteti.
Në një postim në rrjetet sociale më parë, avokati i Maxwell, David Oscar Markus, tha se Maxwell ishte “e përgatitur të fliste plotësisht dhe sinqerisht nëse Presidenti Trump do t’i jepte mëshirë”.
“Vetëm ajo mund të japë rrëfimin e plotë. Disave mund të mos u pëlqejë ajo që dëgjojnë, por e vërteta ka rëndësi”, shkroi ai. Në një letër dërguar Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve para paraqitjes së Maxwell, një grup të mbijetuarish të Epstein u bënë thirrje ligjvënësve të jenë skeptikë ndaj çdo informacioni të dhënë nga Maxwell.
Ata e kritikuan atë për refuzimin e identifikimit të “shumë burrave të fuqishëm” të përfshirë në trafikimet e Epstein.
Shtëpia e Bardhë ka thënë më parë se “nuk do jepet ose diskutohet asnjë lehtësim” në lidhje me Maxwellin.
Maxwell u dënua në vitin 2021 për rolin e saj në joshjen e vajzave të mitura që Epstein t’i shfrytëzonte. Epstein vdiq në burg në vitin 2019.
