Batatina Do ta japim maksimumin ndaj Buducnostit, prurje do të ketë, por jo edhe largime

Batatina Do ta japim maksimumin ndaj Buducnostit, prurje do të ketë, por jo edhe largime

Skuadra e Llapit është duke i bërë përgatitjet finale para pjesëmarrjes në garat evropiane edhe për këtë vit.

Llapi ishte disa ditë në Ohër të Maqedonisë së Veriut për përgatitje, ku edhe zhvilloi disa ndeshje miqësore.

Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet, llapjanët do të marrin pjesë në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës si fitues i Kupës së Kosovës.

Në rundin e parë eliminator, skuadra që drejtohet nga Tahir Batatina do të ndeshet me malazezët e Buducnost Podgoricës.

Në një bisedë me FrontOnline, trajneri i Llapit, Tahir Batatina u shpreh mjaft i kënaqur me punën e skuadrës në këtë fazë përgatitore.

“Faza ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe angazhimin e futbollistëve dhe motivin e lartë që kanë treguar për punë”, ka thënë fillimisht Tahir Batatina duke vazhduar:

“Në skuadër po mbretëron një atmosferë e zjarrtë dhe ka motiv që në ndeshjen e parë ta japim maksimumin në ndeshjen e parë”.

Duke folur për pjesëmarrjen në garat evropiane, Batatina u shpreh mjaft optimist.

“Besoj se jemi shumë të gatshëm dhe kemi punuar për këto ndeshje, andaj besoj se jemi munduar ta bëjmë më të mirën”, theksoi ai.

Sa i përket Buducnost Podgoricës, Batatina tha se skuadra e tij do ta jap maksimumin.

“Ne do ta japim maksimumin dhe na pret një ndeshje e vështirë pasi përballë vetes kemi një skuadër të fortë”, nënvizoi tekniku llapjan.

Llapi si gjithnjë edhe këtë verë është treguar aktiv në tregun e transferimeve duke afruar dhe larguar disa futbollistë, por Batatina zbulon se nuk do të ketë më largime, por eventualisht ndonjë prurje.

“Prurje mund të ketë në vazhdim, por largime jo”, u shpreh trajneri dhe donatori në klubin e Llapit.

Për fund, ai e ka një mesazh për tifogrupin e Llapit,”Legjendat”.

“Legjendave’ ju garantoj angazhim dhe luftë të pa kompromis për të marrë rezultate pozitive”, përfundoi për FrontOnline Tahir Batatina.

Ndryshe, Llapi e nis aventurën evropiane më 7 korrik në Podgoricë kundër Buducnostit, teksa ndeshja e kthimit në “Fadil Vokrri” luhet pas një jave.

Related Articles