Skuadra e drejtuar nga trajneri, Tahir Batatina arkëtoi pikët e plota në Lipjan në takimin kundër Ulpianës së rrezikuar për rënie nga elita.
Llapjanët triumfuan 0:2 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Dardan Jashari dhe Alidema ishin autorët e golave për skuadrën mysafire.
Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina tha se këtë përballje pushoi 11 lojtarë dhe se e kishte pritur një duel të vështirë.
“Jam i kënaqur që sot kanë debutuar 5 lojtarë nga akademia e Llapit. Është prej prioriteteve të mia t’u jap hapësirë. E kam ditur që do të jetë ndeshje e vështirë. Kam pushuar thuajse 11-të lojtarë, sepse unë brenda një ekipi kam dy ekipe. Kemi lojtarë solid, mund të bëjmë ndryshime brenda skuadrës. Ata që luajtën, treguan cilësi”.
Batatina foli edhe për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Prishtinës të mërkurën.
“Mendoj që ndeshja më e rëndësishme është të mërkurën në ‘Zahir Pajaziti’. Atje kemi publikë të zjarrtë dhe për herë të parë do të jetë stadiumi i mbushur. Do të jetë spektakël në tribuna dhe në fushë”, tha Batatina për Art Sport.