Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka folur pas barazimit me Trepçën ’89, duke vënë theksin te gabimet që skuadra e tij bëri gjatë kësaj ndeshje, e sidomos dalje me karton të kuq e Benjamin Eminit.
Llapi dhe Trepça ’89 kanë luajtur baras 2-2 në ndeshjen e vlefshme e vlefshme për javën e dytë në ALBI Mall Superliga e Kosovës.
Ky barazim nuk i ka pëlqyer aspak trajneri të vendasve, Batatinës, i cili ka qenë kritik ndaj skuadrës së tij.
“Mendoj se realizuam gol në momentet më të mira, administruam ndeshjen, por nuk shënuam golat nga rastet tjera që i patëm. Duhet të ishim më të vëmendshëm”, ka thënë fillimisht Batatina pas ndeshjes.
“Futbolli nuk përfundon me 1:0. Futbolli nuk përfundon në minutën e 50-të e as në minutën e 60-të. Gabimet na kushtuan. Ishim në vështirësi pas kartonit të kuq të Benjamin Eminit. Pranuam gola që nuk duhej të pranohen”.
“Djemtë dhanë maksimumin. Lojtarët me eksperiencë duhet të jenë më të vëmendshëm para portës. Bëmë më të mirën dhe barazuam me një lojtar më pak. Patëm edhe një mundësi në fund, por kemi mundur edhe të pranonim gol në fund”.
“Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ishte ndeshje e mirë për tifozët. Dalja e Eminit na prishi planet taktike. Cilësia në Superligë është rritur dhe gabimet e vogla kushtojnë me pikë”, përfundoi trajneri i Llapit.