Tahir Batatina në emisionin “Favorit” në T7 ka konfirmuar se ka tërhequr kandidaturën e tij për pozitën e trajnerit te Kombëtarja e Kosovës.
Kjo vije pas deklaratave nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, dhe zyrtarëve tjerë nga kjo Federatë, që në listë për trajnerin e ri të Kosovës nuk është asnjë shqiptar, shkruan Gazeta Express.
Pas kësaj Batatina tha se nuk mendon më për këtë pjesë dhe se tani po fokusohet vetëm te skuadra e tij, Llapi.
“Vet kryetari ka deklaruar se në kategorinë A, B dhe C nuk ka shqiptarë dhe nuk jam kandidat, do të thotë tash mendoj vetëm për Llapin. Jam në fazë përgatitore dhe atë pjesë nuk kam se çfarë e mendoj sepse është vendos prapë që të jetë një trajner i huaj dhe shpresoj që të kemi sukses dhe të kualifikohemi në Botëror. Gjithmonë do ta përkrahim Kosovën, pa marrë parasysh se kush do të jetë trajner”, tha ai.
Batatina gjithashtu tha se në fund “faturën për çdo sukses ose mos-sukses në fund e paguan kryetari i FFK-së, Agim Ademi”.
Emisioni “Favorit” transmetohet çdo të diel në T7, si dhe në kanalin zyrtar të televizionit në “YouTube”.