Gazetari Baton Haxhiu, ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani, i merr për budallenj ata që ngrenë pyetjen se përse operacionin që e ka bërë në heshtje në Turqi s’e ka bërë në QKUK ku s’ka nevojë as të paguhet për të.
Haxhiu e ka quajtur shefen e shtetit presidente “hot” pasi u pre në brisk të kardiologëve turq.
“Sipas lajmeve në Turqi e Kosovë, Vjosa Osmani shkoi e u pre në brisk të kardiologëve më të zgjedhur të Turqisë për të hequr kilogramët e tepërt. Pra, mos të jetë vetëm Presidente me votë të tregtuar edhe nga Adelina Grainca, por edhe një Presidente ‘HOT’. Jo rastësisht, lartë e poshtë nëpër studio televizive, ka filluar ta citojë edhe Dafina Zeqirin: “llafe-llafe”, a si ishte ajo kënga?”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu në një kolumne të tij, ka pyetur se nëse presidentja Osmani nuk i beson shëndetësisë vendore pse duhet ta bëjnë njerëzit e zakonshëm.
“Presidentja i merr për budallenj ata që ngrenë pyetje të kësaj natyre kur lëshon lajme lajthitëse, nëpërmes mercenarëve të saj në portale, se ndërhyrja është bërë për shkaqe shëndetësore. Për më keq, Presidentja e tall, fyen dhe ofendon një popull në nevojë që pret në radhë të gjata e kërkon shpëtim korridoreve të QKUK. Pse u dashka që njerëzit e zakonshëm t’i besojnë shëndetësisë vendore kur vetë Presidentja, kukullushka e Albin Kurtit, s’ia beson as kilet e tepërta një mjeku vendor? Nuk ka asnjë arsye, pavarësisht se shefi i saj, e paraqet zhvillimin e shëndetësisë si sukses te tij”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu në shkrimin e tij ia ka vënë disa epitete presidentes Osmani si “noterja belhollë e Albin Kurtit” e “Kukullushka e Albin Kurtit” etj.
“Sidoqoftë, pasi është shkëputur përfundimisht nga populli, noterja belhollë e Albin Kurtit, ka vendosur që ‘part-time’ ta ndjek edhe pasionin e saj për modelizëm. Në mbrëmjen e organizuar nga Valdrin Sahiti, me veshje të porositur enkas, plot ‘sherk’ e flokë me fenir, bërë me termin të posaçëm, ajo defiloj në tepihun e kuq, krahas Bora Zemanit e Donald Veshajt”, ka shkruar tutje ai.