BBC: Fushata e Lulzim Bashës ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 dollarë

BBC: Fushata e Lulzim Bashës ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 dollarë

Korporata Britanike e Transmetimit BBC ka publikuar këtë të enjte një hetim të gjatë në lidhje me mënyrën si rrethi i ngushtë i Vladimir Putinit ka përdorur kompani të ndryshme “guaskë”, për të fshehur pronarët, për të realizuar pagesa të paligjshme dhe për të depërtuar në ekonominë britanike.

“Alpha Consulting” me bazë në ishujt Seychelles ndihmoi në formimin e më shumë se 900 partneriteteve në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat u përdorën si kompani për të fshehur pronarët e vërtetë rusë, miq të Putinit, transmeton “Euronews Albania”.

Pjesë e kompanive të lidhura me “Alpha Consulting”, sipas BBC, është dhe “Beratex Group Ltd”, një kompani e ish-kreut të Wagnerit, Yevgeni Prigozhin, e cila “fshihte” dhe jahtin e përdorur prej tij.

Pjesë e hetimit përmendet dhe lobimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë në ShBA në vitin 2017.

BBC shkruan se dyshohet se kryedemokrati shqiptar Basha ka lobuar për të pasur një foto me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Media britanike shkruan se ka dyshime se kompania “Biniatta Trade LP”, e cila pagoi lobistin amerikan Nick Muzin në emër të PD, është një kompani e lidhur me “Alpha Consulting”.

BBC shkruan se kryedemokrati shqiptar nuk iu përgjigj kërkesës së tyre për të dhënë një reagim.

“Në mars 2017, kompania ‘Biniatta Trade LP’, pagoi një lobist amerikan në emër të Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Lobisti organizoi qasje tek politikanët republikanë dhe një mbledhje fondesh, ku zoti Basha ishte në gjendje të arrinte mundësinë e një fotografie me presidentin e atëhershëm Donald Trump – që më vonë u përdor në fushatën zgjedhore në Shqipëri”.

“Raportet e vitit të kaluar thanë se inteligjenca amerikane besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha, slogani i të cilit ishte ‘Bëje Shqipërinë të Madhe përsëri’, ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 dollarë”.

“Pronësia e ‘Biniatta’-s ishte fshehur përmes sekrecionit ‘offshore’ dhe drejtorëve të rremë, por dokumentet e zbuluara të ‘Alpha’ përfshijnë një marrëveshje nga viti 2015, kur u krijua partneriteti, të cilët shpallën si pronar përfitues shtetasin rus i quajtur Maxim Trofimets”.

“Në verën e vitit 2017, kur ligji për partneritetet skoceze ndryshoi, Trofimets nuk u deklarua si ‘person me kontroll të rëndësishëm’ të Biniatta-s dhe një kandidat i Alpha deklaroi në mënyrë të rreme se firma kishte dhënë të gjithë informacionin që duhej”.

“Të nesërmen, i njëjti kandidat i ‘Alpha’-s nënshkroi fshehurazi një marrëveshje të re autorizimi, duke rinovuar kontrollin e Trofimets mbi Biniatta”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Related Articles