Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj qëndrimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me përdorimin dhe statusin e gjuhës shqipe në vend.
BDI-ja thekson se deklarata e Kryeministrit në Kuvend, lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, përbën një nga momentet më shqetësuese në diskursin politik që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
“Pretendimi se gjuha shqipe mund të përdoret “sa të doni”, por se gjuha zyrtare është vetëm maqedonishtja, nuk është thjesht një deklaratë politike, është një rikthim i drejtpërdrejtë në logjikën e Kushtetutës së vitit 1991, dhe nenin e dikurshëm 7 të saj duke injoruar Amendamentin V të vitit 2001, i cili është themel i rendit kushtetues dhe i balancës ndëretnike në vend. Ky qëndrim cenon thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk është kompromis simbolik, por arkitekturë reale e bashkëjetesës, e ndërtuar për të kapërcyer pikërisht burimet e konfliktit që prodhoi Kushtetuta e vitit 1991”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, relativizimi i statusit të gjuhës shqipe nuk është çështje interpretimi, por hapje e një rruge të rrezikshme që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike dhe funkcionalitetin e demokracisë sonë multietnike.
“Kjo qasje përfaqëson një kthim prapa dhe një tentativë për revizion të arritjeve themelore të shtetit, të frymëzuar nga logjika që janë në kundërshtim me konceptin e një shteti multi-etnik dhe demokratik. I bëjmë thirrje Kryeministrit që të tërhiqet menjëherë nga kjo qasje dhe të respektojë në mënyrë të plotë rendin kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo devijim nga ky rend nuk është vetëm gabim politik, është goditje ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës dhe funksionalitetit të shtetit”, thekson BDI.
