Një tjetër zbulim i rëndësishëm u bë në parkun arkeologjik në Ulpianë. Aty u gjet një pllakë me mbishkrimin e dytë që i ishte i dedikuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Theodora.
Për këtë zbulim para disa ditësh lajmëroi ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili tha se “ekipi i arkeologëve ka identifikuar” mbishkrimin derisa mori merita se si asnjëherë më parë s’ka pasë këso përkushtimi ndaj zbulimeve të tilla arkeologjike.
‘Ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora. Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan. Ky i dyti tregon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon. Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar asnjëherë më këtë seriozitet. Hulumtimet arkeologjike në Ulpianë e Dresnik, tanimë po vazhdojnë në prona publike, të cilat u shpronësuan gjatë vitit të kaluar”.
Çeku tha se “po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteteve ndërkombëtare, studime e publikime”.
“Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë. Ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, përgëzoi bashkëpartiakun e tij për këtë zbulim si meritorin kryesor dhe hodhi akuza te pushtetet e kaluara se s’kishin bërë punë në këtë lëmi.
“Zbulimi i rrënjëve tona përmes gërmimeve arkeologjike pothuajse ishte harruar në tërësi gjatë qeverisjeve të kaluara. Por krejt kjo ka ndryshuar rrënjësisht në këto katër vitet e fundit. Hajrulla Çeku me ekip kanë bërë punë fantastike me zbulimet e reja në Ulpianë dhe në zonat tjera”.
Megjithatë, në një postim të sotëm Zyra e BE-së në Kosovë zbuloi se ishte Misioni Europian Arkeologjik në Kosovë me mbështetje të Bashkimit Europian ai që zbuloi këtë mbishkrim të rëndësishëm.
“Misioni Europian Arkeologjik në Kosovë, i mbështetur nga BE-ja, ka bërë një tjetër zbulim të rëndësishëm: një mbishkrim që lidh Ulpianën me Iustiniana Secunda. Ky mbishkrim i dytë, i dedikuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Theodora, shënon ndërtimin e bazilikës episkopale. Së bashku me mbishkrimin e parë, i cili njoftonte themelimin e Iustiniana Secunda si Qyteti i Dardanisë, këto janë të vetmet dedikime të njohura nga Justiniani në rajonin e tij të lindjes”, thuhet në një njoftim të Zyrës së BE-së.
Gjatë vizitës së saj në vendngjarje, Eva Palatova, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, përgëzoi profesor Christophe J. Goddard dhe ekipin e tij për punën e pandërprerë dhe këtë zbulim të jashtëzakonshëm, i cili, sipas saj, thellon kuptimin tonë mbi të kaluarën tonë të përbashkët europiane.
“Bashkimi Europian është krenar që mbështet Kosovën në mbrojtjen dhe studimin e trashëgimisë së saj kulturore”.