BE dhe SHBA, presion ndaj Serbisë: Vini sanksione Rusisë, marrëdhëniet e juaja “nuk janë normale”

BE dhe SHBA, presion ndaj Serbisë: Vini sanksione Rusisë, marrëdhëniet e juaja “nuk janë normale”

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të vendosë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, pasi Serbia priti zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Më 2 korrik, Grushko u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë qëndrimit në Beograd kishte takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë serbë.

“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zëdhënësi i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se Këshilli i BE-së është në dijeni për ndihmat humanitare dhe të tjera të Serbisë për Ukrainën, por se, gjithashtu, pret që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të përafrohet me politikën e jashtme evropiane dhe të sigurisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i japë Rusisë platformë për të promovuar luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë një interes të madh në rrjedhën e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është e një rëndësie vendimtare të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha Departamenti i Shtetit.

Ai vlerësoi, po ashtu, mbështetjen që Serbia i ka dhënë Ukrainës deri më tani.

Me kë u takua Grushko në Beograd?

Grushko kishte një “bisedë të mirë” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur vetë Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, më 2 korrik.

“I kemi shqyrtuar marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, shkroi Vuçiq në postimin e tij.

Një ditë më parë, zëvendësi i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Policisë të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai zhvilloi takim edhe me zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin, dhe ministrin Nenad Popoviq. Të dy ata janë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Kremlinin.

Në listën e zyrtarëve serbë me të cilët u takua Grushko, është edhe Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.

Lidhja me Rusinë

Pushtimi rus i Ukrainës është në vitin e tretë dhe gjatë kësaj kohe Serbia nuk ka hequr dorë nga lidhjet e saj me Rusinë.

Zyrtarisht, Beogradi mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të vendosë sanksione kundër Moskës.

Ai e arsyeton refuzimin e tij me lidhjet miqësore me Rusinë, por edhe me mbështetjen që merr prej saj në nivel ndërkombëtar.

Kjo nuk është vizita e parë e zëvendësit të Lavrovit në Serbi që nga fillimi i luftës.
Grushko ka qëndruar në Beograd edhe në tetor të vitit 2022, por, atëkohë, publiku serb ka mësuar për vizitën nga zyrtarët dhe mediat në Rusi.

Bëhet fjalë për një performancë pa thelb – kështu e vlerëson vizitën e zyrtarit rus për Radion Evropa e Lirë Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Beograd.

“Bashkëpunimi mes Serbisë dhe Rusisë aktualisht është shndërruar në një aktivitet propagandistik mediatik, që, në fakt, nuk do të japë ndonjë rezultat thelbësor”, thotë Obradoviq.

Një vlerësim të tillë ai e mbështet në argumentet se “Rusia nuk ka më asgjë për t’i ofruar Serbisë në fushën e sigurisë”.

Vizita e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë në Serbi u zhvillua dy javë pasi Serbia mbështeti deklaratën në Samitin për Paqe në Ukrainë, i cili u mbajt në Zvicër, duke shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.

Ajo është një prej disa deklaratave të Bashkimit Evropian dhe rezolutave të OKB-së që Serbia i ka mbështetur, e që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Related Articles