Bashkimi Europian ka thënë se janë duke pritur nga kryeministri Albin Kurti që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të shtensionuar situatën në veri të vendit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në konferencën e sotme për media, tha se masat e Unionit ndaj Kosovës nuk janë sanksione, por reagim ndaj asaj që tensionet s’po ulen.
“Nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Ne nuk jemi duke i përdorur këto terme që nënkupojnë se masat që janë të bazuara në legjislacionin për të sanksionuar. Kjo s’po ndodh me Kosovën. Këto masa janë instrumente që po përdoren për të treguar që BE është serioze për shtensionim dhe reagim që shtensionimi s’po ndodh. Ne presim nga kryeministri Kurti që të implementojë hapat e nevojshëm për të shtensionuar situatën”.
Ai tha se deri më tani nuk kanë parë ndonjë hap të ndërmarrë për të shtensionuar situatën menjëherë.
Stano tha se masat janë të përkohshme dhe mund të tërhiqen. Sipas tij, këto masa përfshijnë pezullimin e vizitave zyrtare, komitetet, eventet e planifikuara, si dhe bashkëpunimi financiar me Kosovën.
Ai tha se nuk do të hyjë në detaje, por se partnerët kosovarë janë të informuar.