Këshilli i Bashkimit Evropian e azhurnoi listën e vendeve, për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit, dhe shtoi në të edhe Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Vendimi hyn në fuqi sot, kur “në bazë të kritereve dhe kushteve të përcaktuara në rekomandim, shtetet anëtare duhet t’i heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit nga kufijtë e jashtëm, për banorët e këtyre vendeve”.
Azhurnimi i listës vjen pasi, në fillim të kësaj jave, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së rekomanduan heqjen e kufizimeve për nëntë vende, përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kufizimet në udhëtime jothelbësore janë vendosur qysh në mars të vitit të kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.Reklamë
Në muajin maj, Këshilli i BE-së i ka hequr zyrtarisht këto kufizime për shtetasit e vendeve të treta, të cilët janë vaksinuar me të gjitha dozat e kërkuara të vaksinës kundër koronavirusit.
Shtetasit e vendeve të treta përfshijnë edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Por, me heqjen e kufizimeve për Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, lëvizja e lirë në territorin e BE-së do të gëzohet edhe nga ata qytetarë që nuk janë vaksinuar, sepse situata epidemiologjike në këto vende konsiderohet e kënaqshme, përkatësisht nën kontroll.
Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.
Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin.
BE i azhurnon listat çdo dy javë, në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend veç e veç.