Bashkimi Evropian ka dërguar dy aeroplanë zjarrfikës në Spanjë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve të egra, pasi vendi aktivizoi mekanizmin e ndihmës në rast katastrofash të bllokut për herë të parë.
Ndihma vjen ndërsa vendi regjistroi një vdekje të tretë të lidhur me zjarret të enjten në mëngjes.
Ekzistojnë shqetësime se zjarret mund të vazhdojnë të përhapen. Agjencia Shtetërore e Motit e Spanjës, “Aemet”, parashikon se një valë e nxehtësisë do të vazhdojë deri të hënën, me temperatura deri në 44 gradë Celsius në disa zona, si dhe erëra të moderuara.
Spanja është kombi i pestë evropian që kërkon ndihmë për luftimin e zjarreve. Në Greqi, 25,000 hektarë tokë janë djegur që nga e marta.
Dy avionë francezë “Canadair” mbërritën të enjten në rajonin veriperëndimor të Galicias në Spanjë.
“Lufta kundër zjarreve nuk njeh kufij”, tha përfaqësuesi i qeverisë në rajon Pedro Blanco. “Burimet franceze janë tani në Spanjë për të intensifikuar përpjekjet për të shuar zjarret në pyje”.
Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, u tha mediave lokale të mërkurën se dy aeroplanët nuk ishin ende të nevojshëm, por se qeveria i donte ato në Spanjë në mënyrë që të mund të viheshin në përdorim kur të ishte e nevojshme.
Një zjarrfikës vullnetar vdiq në spital në rajonin veriperëndimor të Leon të enjten, pasi pësoi djegie të rënda.
Ai u bë personi i dytë që vdiq si pasojë e një zjarri në rajon dhe personi i tretë që vdiq gjithsej. Një burrë tjetër vdiq pranë kryeqytetit, Madrid, të martën e kaluar, shkruan BBC