BE-ja dhe G7-a paralajmërojnë sanksione të reja kundër Iranit

BE-ja dhe G7-a paralajmërojnë sanksione të reja kundër Iranit

Bashkimi Evropian dhe grupi i ekonomive të zhvilluara, G7, kanë paralajmëruar se mund t’i vendosin Iranit sanksione të reja për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave që kanë shpërthyer atje.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në Limassol të Qipros, tha: “Ajo që është duke ndodhur në Iran është e neveritshme dhe vrasja e njerëzve të rinj është tragjedi njerëzore”, shkruan gazeta “The Guardian”.

Bashkimi Evropian tashmë ka në fuqi sanksione të gjera kundër Teheranit, përfshirë masat kufizuese ndaj më shumë se 230 zyrtarëve qeveritarë iranianë, policëve, gjykatësve e më shumë se 40 organizatave shtetërore, përfshirë burgjet dhe policinë e moralit.

Sanksionet e BE-së propozohen nga Komisioni Evropian, por për to duhet të ketë pajtim të njëzëdhëm nga të gjitha 27 vendet anëtare. Edhe pse blloku ka sanksione kundër anëtarëve të Rojave Revolucionare, asnjëherë nuk ka mundur që të arrijë pajtim të brendshëm për ta cilësuar atë zyrtarisht si organizatë terroriste.

“Jemi duke e shqyrtuar thellimin e sanksioneve kundër Iranit. Sanksionet japing ndihmë për të shtyrë përpara që këtij regjimi t’i vijë fundi dhe të ketë një ndryshim” – tha zonja Von der Leyen.

Sipas saj, protestuesit kundër regjimit po kërkojnë që në listën e masave ndëshkuese të futen Roja Revolucionare dhe organizata të tjera përgjegjëse për mizoritë në Iran.

Përmes një deklarate të përbashkët, minsitrat e jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara si dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së thanë se vendet e grupit G7 janë “seriozisht të shqetësuara” nga zhvillimet rreth protestave në Iran dhe se ato “e kundërshtojnë fuqishëm intensifikimin e shtypjes brutale të popullit iranian nga autoritetet iraniane”.

Related Articles