Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk kanë premtuar anëtarësim të shpejt të Ukrainës në Bashkim Evropian.
Në ditën e dytë të samitit të liderëve të BE-së që po mbahet në Versajë të Francës, liderët e BE-së nuk e vendosën Kievin në një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, ashtu siç kërkoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Të premten, presidenti francez Emmanuel Macron tha se përgjigja e Bashkimit Evropian ndaj ofertës së Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në bllok është “jo”.
“Unë mund ta kuptoj reagimin emocional dhe pritjet që janë atje,” tha Macron.
“A mund të kemi masa të jashtëzakonshme për një vend që është në luftë pa respektuar kriteret [për pranimin]? Përgjigja është jo”, deklaroi Macron.
Përmes një deklarate të përbashkët, më herët liderët evropian “vlerësuan aspiratat evropiane dhe zgjedhjen evropiane të Ukrainës” dhe vunë në pah se aplikimi i saj për anëtarësim ishte dërguar “me shpejtësi” në Komisionin Evropian për “opinion” – faza fillestare e një procesi të gjatë drejt shpalljes së vendit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim.
Më 28 shkurt 2022, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi zyrtarisht një kërkesë për anëtarësim në BE.
Ditë më parë ai tha se pushtimi rus ishte “një moment vendimtar për të mbyllur një herë e përgjithmonë diskutimin e gjatë dhe për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës”.
Kërkesa për anëtarësim në BE, ndodhi pak ditë pasi Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt.
Para pushtimit rus, Zelensky kishte shprehur shprehimisht dëshirën që Ukraina të anëtarësohej në BE.
Anëtarësimi shteteve në BE është një proces tejet i gjatë dhe që kërkon përmbushjen e shumë kushteve dhe kritereve teknike të projektuara për të siguruar që anëtarët e rinj potencialë të përmbushin standardet ligjore dhe ekonomike të cilat janë thelbësore për funksionimin e BE-së.