Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë propozuar rritjen e ndihmës së bllokut për Ukrainën, me qëllim që të shfaqë mbështetje të vazhdueshme për Kievin, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë filluar bisedimet për të përfunduar luftën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përsëritur thirrjet për aleatët e tij për të mbajtur premtimet e tyre për furnizimin e Ukrainës me armë, që përfshinë edhe ato kundër sulmeve ajrore ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Propozimi i BE-së, sugjeron që çdo shtet të plotësojë një kuotë financiare sipas madhësisë së ekonomisë për të prodhuar një pako që do të përfshinte 1.5 milion predha për artileri, për këtë vit.
Diplomatët kanë zhvilluar bisedimet fillestare të planit këtë javë. Ministrat e Jashtëm do të takohen në Bruksel të hënën dhe mund të diskutojnë rreth planit. Por nuk pritet të ketë vendime për këtë propozim gjatë takimit.
Propozimi nuk ka vendosur një vlerë të parashikuar mbi planin. Por diplomatët kanë deklaruar se qëllimi ishte që plani të kapë vlerë miliarda euro.
Propozimi thotë se qëllimet kryesore të pakos do të furnizonin me 1.5 milion predha artilerie me kalibër të lartë, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa për goditje precize të thella dhe dronë.
Financimi do të varej shumë nga qeveritë e BE-së, një sfidë shumë e madhe kur shumë prej tyre veçse janë duke operuar me financa të tkurrura.
Gjithsesi, një pjesë e financimit mund të vije nga përfitimi i aseteve të ngrira ruse në BE, sipas propozimit.
Sipas BE-së, anëtarët e saj kanë ndihmuar Ukrainën me 48.5 miliardë euro në ndihma ushtarake që nga fillimi i pushtimit në shkurt të 2022-tës.