Bashkimi Evropian ka rënë dakord t’u japë qëndrim të përkohshëm deri në tri vjet, qytetarëve ukrainas që po ikin nga lufta.
Ministrat e bllokut u dhanë dritën jeshile planeve në një takim që është mbajtur të enjten në Bruksel, raporton BBC.
BE-ja ndezi një mekanizëm që nuk është përdorur kurrë më parë, për t’u lejuar shtetasve ukrainas dhe familjeve të tyre të drejtën për punë, arsim dhe mirëqenie.
Blloku ka thënë se ata që kanë qëndrim afatgjatë ose status refugjati në Ukrainë do të mbulohen gjithashtu, qoftë nga direktiva ose nga rregullat kombëtare. Dhe se punëtorët ose studentët e përkohshëm, të cilët nuk kanë të drejtë, do të ndihmoheshin të kthehen në shtëpi.
Raportet e mëparshme nga Hungaria sugjeruan se qeveria atje nuk i mbështeti planet. Megjithatë, Komisioni e cilësoi vendimin e sotëm si “unanim”, pas disa modifikimeve. Ndërsa, detajet e plota priten nesër.