BE-ja ua çon ftesat vendeve të Ballkanit Perëndimor për takimin e Bashkësisë Politike Evropiane

BE-ja ua çon ftesat vendeve të Ballkanit Perëndimor për takimin e Bashkësisë Politike Evropiane

Bashkimi Evropian ua ka dërguar ftesat liderëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, plus 17 vende të tjera evropiane, për takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropiane.

Këtë e ka konfirmuar një zyrtar i BE-së, i cili nuk ka pranuar të identifikohej.

”Ftesat për takimin, të nënshkruara nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministri çek, Petr Fiala, u dërguan sot”, tha ai.

Liderët do të mblidhen në Pragë më 6 tetor.

Krerët e shteteve nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe 17 vendet evropiane – Turqia, Britania e Madhe, Ukraina, Azerbajxhani, Armenia, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Zvicra, Islanda, Lihtenshtejni, Moldavia dhe Gjeorgjia – janë të ftuar të marrin pjesë.

”Bashkësia Politike Evropiane është një platformë për koordinimin politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin, duke synuar të bashkojë liderët nga vendet evropiane në baza të barabarta dhe në një frymë uniteti, një ose dy herë në vit”, tha zyrtari evropian, shkruan ATSH.

Të gjithë udhëheqësit do të marrin pjesë në një sesion hapjeje, derisa në darkën përmbyllëse do të mbajnë bisedime dypalëshe. Ata do të marrin pjesë, në grupe më të vogla, në diskutime në tryeza të rrumbullakëta mbi tema të ndryshme si stabiliteti, energjia, klima, lëvizshmëria dhe ekonomia.

Krerët e BE-së do të mbajnë edhe një samit jozyrtar të nesërmen.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, propozoi në muajin maj krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane me pjesëmarrjen e vendeve të BE-së dhe fqinjëve për të adresuar sfidat e përbashkëta politike dhe të sigurisë.

Related Articles