Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar që të respektohet pavarësia e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe ka bërë thirrje që të mënjanohet çdo ndërhyrje me motive politike.
“Në një takim me kryetarin e Komisionit të Pavarur të Mediave, kryesuesi për Sundim të Ligjit dhe për Seksionin Ligjor i PSBE-së theksoi që pavarësia e KPM-së duhet të respektohet gjithmonë dhe çdo ndërhyrje e motivuar politikisht duhet eliminuar”, thuhet në postimin e Bashkimit Evropian në Kosovë në X.
“Anëtarët e KPM-së duhet të jenë të lirë për t’i ushtruar detyrat e tyre”.
Misioni i BE-së në Kosovë ka thënë po ashtu se kanë biseduar edhe për projektligjin për KPM-në dhe për rëndësinë e një procesi të hapur dhe transparent.
“Të dy bashkëbiseduesit po ashtu e diskutuan edhe projektligjin për KPM-në i cili aktualisht po analizohet nga Bashkimi Evropian”.
“Mbetet thelbësore për Kosovën që ta adaptojë Ligjin përmes një procesi të shpejtë, të hapur dhe transparent me konsultimet e duhura që përfshijnë shoqërinë civile dhe organizatat mediale”.
Anëtarët e KPM-së kanë raportuar dy herë në dy javët e kaluara në Komisionin Parlamentar për Media, teksa anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision kishin kërkuar në këto dy mbledhje që të shkarkohej i gjithë bordi i KPM-së. Arsyeja e kësaj kërkese ishte vendimi i KPM-së për të hequr pezullimin për transmetim të kanaleve sportive serbe “Arena Sport”.
Pezullimi i sinjalit të këtyre kanaleve ishte bërë me një vendim të KPM-së pas shfaqjes së mesazheve në këto kanale ku anëtarët e grupit terrorist serb që sulmoi policinë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar cilësoheshin si heronj.