Tensionet tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara janë duke u rritur, teksa blloku evropian paralajmëron se nuk do të rrijë duarkryq nëse Uashingtoni vendos tarifa të reja ndaj produkteve evropiane.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të shtunën se BE-ja është e përgatitur të mbrojë interesat e saj, në rast se ShBA-ja vendos të aplikojë një tarifë prej 30% për mallrat evropiane duke filluar nga 1 gushti.
“Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë miratimin e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme”, tha von der Leyen, në një deklaratë për Reuters.
Pavarësisht kërcënimeve të tarifave nga pala amerikane, ajo tha se BE-ja mbetet e hapur për dialog.
“Blloku është i gatshëm të vazhdojë të punojë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht”, shtoi ajo.
Von der Leyen e cilësoi Bashkimin Evropian si një nga ekonomitë më të hapura në botë, duke theksuar se BE-ja respekton në maksimum praktikat e ndershme tregtare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.