Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka përshëndetur formimin e institucioneve të Kosovës dhe ka vlerësuar se “pas më shumë se një viti bllokim politik, formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues”.
Duke uruar kryeministrin Albin Kurti, Kallas ka porositur se qeveria e re tani duhet të përparojë me shpejtësi në procesin e reformave, në mënyrë që të zhbllokohet, sipas saj, mbështetja e BE-së me vlerë prej qindra milionë eurosh, si dhe për të pasur përparim në rrugën drejt BE-së.
Kallas ka paralajmëruar se tani është momenti që të avancohet edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë rrafsh, ajo paralajmëroi mbajtjen “së shpejti” të një takimi të liderëve në kuadër të dialogut.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka përshëndetur lajmet e mira nga Prishtina dhe ka uruar kryeministrin Kurti.
“Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve të plota të Planit të Rritjes në Kosovë”, ka porositur Kos përmes rrjeteve sociale. Ajo ka konfirmuar se së shpejti do të vizitojë Prishtinën.
Ndryshe, që nga marrja e detyrës në dhjetor të vitit 2024, Kosova është i vetmi vend që Kos nuk e ka vizituar, ndonëse e ka shtetin në portofolin e saj. Shpjegimi zyrtar ka qenë vazhdimisht se vizita do të zhvillohet kur të ketë një qeveri funksionale në vend.
