BE: Vizita e Vulinit në Rusi, në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim

BE: Vizita e Vulinit në Rusi, në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se vizita e zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin, në Rusi është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në bllok. Sipas Stanos, Vulin nuk dihet në emër të kujt flet pasi, siç tha ai, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qëllim strategjik anëtarësimin e vendit në BE

Vizita e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Rusi dhe takimi i tij me presidentin Vladimir Putin ka ngjallur reagime në Bashkimin Evropian.

Në një konferencë për media, të enjten, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kjo vizitë është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në bllok.

“Nuk e dimë se në emër të kujt flet Vulini, sepse presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka përsëritur qëllimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës nuk mund të vazhdojnë apo forcohen raportet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pra, presim nga Serbia që të përmbahet nga forcimi i raporteve me Rusinë. Dhe, presim nga të gjithë anëtarët e Qeverisë së Serbisë që ta ndjekin qëllimin e integrimit në BE. Me shqetësim vërejmë këto veprime të Vulinit, sepse nuk është hera e parë që ai viziton Rusinë. Kjo shkon në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për t’u integruar në BE”, ka deklaruar Stano.

E zëdhënësja e Komisionit Evropian për Zgjerim, Ana Pisonero, foli për mundësitë që Serbia të penalizohet në marrjen e fondeve nga BE-ja, përkatësisht nga plani i rritjes ekonomike për Ballkanin. Tha se para pagesave vendet anëtare të bllokut do të konsultohen.

“Komisioni po i analizon agjendat e reformave që i kanë dërguar vendet e rajonit. Para pagesave do të konsultohemi edhe me vendet anëtare. Janë disa kushte, të përgjithshme, specifike dhe kushtet për pagesa. Në agjendën e reformave duhet të përfshihen edhe hapat se si do të përparojnë edhe në përshtatjen me politikën e jashtme”, ka thënë Pisonero.

Të mërkurën Vulini gjatë takimit me Putinin i dha garanci atij se Serbia nuk do t’i vërë kurrë sanksione Rusisë.

Po ashtu, të dy konfirmuan marrëdhëniet e mira, siç i quajtën ata, vëllazërore.

Vulin në këtë takim kritikoi Bashkimin Evropian për mosthemelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e po ashtu Putinit iu ankua për Kosovën. 

Related Articles