“Ndërrim të foshnjave jo, por ngatërrim të prindit në dhënien e informatave po”, kështu po bën me dije ShSKUK.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja e së mërkurës mbrëma që e bëri hallakamë Gjinekologjinë dhe Neonatologjinë në QKUK?
Sipas ShSKUK-së dhe burimeve jo-zyrtare të televizionit, një paciente në orët e vona të së mërkurës është futur me urgjencë në sallë të operacionit për shkak të komplikimeve të rënda.
Sipas mjekëve e njëjta ka qenë e vetëdijshme dhe e informuar për gjendjen e saj dhe se foshnja-vajzë nuk do t’i mbijetojë.
Me diferencë të vogël kokore edhe një grua tjetër me lindje cezariane sjell në jetë një djalë të shëndoshë.
E, kur këtë të fundit, infermieria e neonatologjisë e merr për ta dërguar në kujdesin neonatal, në vendin ku presin familjarët dhe baballarët, keq-informon duke e ngatërruar kështu prindin e foshnjës.
Babait të foshnjës së vdekur, i drejtohet duke i thënë se fëmija i juaj është mirë dhe se po e dërgojmë për kujdes neonatal.
Pak minuta më vonë të njëjtit mjekët ia kumtojnë lajmin, se vajza i ka vdekur në lindje.
Këtu situata del jashtë kontrollit, teksa babait të foshnjës së vdekur i lind dyshimi për ndërrim të bebeve, gjë për të cilën njoftohet policia dhe rasti po hetohet.
ShSKUK bën me dije se menaxhmeneti i neonatologjisë është duke i marr deklaratat e ekipit kujdestar, meqë edhe dhënia e informacionit është bërë nga personi i pa-autorizuar, ku konform legjislacionit edhe do të veprohet.
Në fakt një rregullore e tillë tashmë ka javë që është lëshuar për klinikat ku tregon saktë se vetëm ata që caktohen nga drejtori në këtë rast mjeku i dhomës, shefi i repartit dhe konsiliumi i mjekëve, mund të ofroj informata për pacientët dhe familjen.
Televizioni mëson se infermieria në fjalë është me përvojë pune dhe e dëshmuar në Neonatologji.