Pep Guardiola ka treguar se ai mund të largohet nga Manchester City kur të përfundojë kontrata e tij në fund të sezonit 2022-2023.
Guardiola nënshkroi nëntorin e kaluar një marrëveshje të re me Cityn deri në vitin 2023 mes zërave se ai mund të largohej atë edicion nga “Citizens“.
Tekniku spanjoll ka zbuluar se ai mund t’a përfundojë aventurën e tij me Cityn në vitin 2023.
Në një intervistë virtuale për “XP Investimentos” ai ka thënë se do dëshironte të drejtonte një kombëtare në të ardhmen.
“Hapi im i ardhshëm do të jetë një ekip kombëtar nëse është e mundur”, tha fillimisht ai.
“Pasi kalova shtatë vjet këtu, nuk e di nëse do të qëndroj më gjatë, mendoj se do të kem një pushim pas Cityt”, shtoi spanjolli.
“Do të pushoj pak pas kaq shumë vitesh, do të më duhet të ndalem për të parë se çfarë kemi bërë, si i bëjmë gjërat, për të mësuar nga trajnerët e tjerë që jam i ngazëllyer t’i hedh një vështrim dhe gjatë kësaj kohe nëse një ekip kombëtar ofron një mundësi për të stërvitur në Kupën e Amerikës, Kampionatin Evropian ose Kupën e Botës, unë ndoshta do të doja ta bëja këtë “, përfundoi Guardiola.