Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka kërkuar Papa Françeskut gjatë vizitës zyrtare atje, që Vatikani të njohë Kosovën si shtet të pavarur.
“Një hap i tillë do t’i jepte shtysë të fortë për të çuar para procesin e ngadaltë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur kreu i shtetit shqiptar gjatë një intervistë për të përditshmen italiane “Il Tempo”.
“Roli i Papës dhe i Selisë së Shenjtë është shumë i rëndësishëm për të shtuar vëmendjen e BE-së dhe të Perëndimit, jo vetëm për të ruajtur paqen në Rajonin e Ballkanit, por edhe për të siguruar të ardhmen Evropiane të Ballkanit. Në këtë pikëvështrim sigurisht i kërkova Papa Françeskut që Vatikani të njohë Kosovën si shtet, pasi kjo njohje do të ndihmonte akoma më shumë përpjekjet për dialog Beograd-Prishtinë që po udhëhiqen sot nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Presidenti Bajram Begaj, raporton “Shqiptarja”.
Më 2 dhjetor, presidenti Begaj vizitoi Selinë e Shenjtë në Vatikan ku së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, u prit në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.