Derisa zona e ndërtimit dhe distanca mes vendbanimeve dhe moteleve është bërë temë diskutimi, në fakt ekzistojnë dispozitat ligjore që e përcaktojnë një gjë të tillë.
Ekspertët e fushave kanë bërë të ditur se edhe në bazë të Udhëzimit Administrativ, përcaktohen kriteret e klasifikimeve dhe kategorizimeve të njësive akomoduese.
Sipas tyre, motelet duhet të ndërtohen në periferi të qyteteve, ku nuk ka dendësi banimi.
Megjithatë, në rast të urbanizimit të asaj pjese, duke e lënë motelin në mes shtëpive ose bizneseve, bën që moteli t’i humbë karakteristikat dhe i njëjti nuk mund të quhet më i tillë.
Avokati Ardian Bajraktari e ka shpjeguar ligjin që e rregullon këtë çështje.
“Neni 3, paragrafi 1.15 i ligjit për turizmin që e rregullon çështjen e moteleve, që janë ndërtesa që ofrojnë shërbime për periudhë të përkohshme dhe më e rëndësishmja e përcakton edhe vendndodhjen e tyre. Në bazë të kësaj dispozite, vendndodhja e tyre nuk mund të jetë në afërsi të banimit. Andaj çdo lejim i udhëtimit të veprimtarive të tilla në zonat e banimit, në bazë të bindjes time, është në kundërshtim me këtë dispozitë ligjore”, thotë Bajraktari.
Por a është dikush që i mbikëqyrë motelet?
Avokati Bajraktari thotë se është detyrë e Inspektoratit të Tregut, që bashkë me komunat, të bëjnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e këtyre objekteve.
Megjithatë, sipas tij, këto ligje rrallëherë zbatohen.
“Nenet 47 dhe 48 përcaktojnë që përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, në radhë të parë, është ministria përgjegjëse për Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, e cila natyrisht që këtë mbikëqyrje e bën përmes Inspektoratit të Tregut, mirëpo natyrisht që këtë duhet ta bëjë edhe me individët lokalë”.
Ndërkaq, dyert e hapura 24 orë të moteleve dhe mungesa e kontrollit mbi to kanë bërë që këta të fundit të shfrytëzohen jo vetëm për pushime, por edhe për veprimtari të tjera të jashtëligjshme.
Kështu të paktën thonë ekspertët e turizmit dhe hotelerisë.
Nga ana tjetër, të shpeshta janë rastet ku motelet janë bërë vend i dhunimit të vajzave e vdekjeve të të moshuarve.
E si pasojë e këtyre fenomeneve negative, bëhet thirrje që të rritet edhe kontrolli.
“Edhe në Kosovë është mirë që institucionet nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm të kontrollohen edhe kjo pjesë. Është e vërtetë që kemi raste që po shkruhet shumë për ta në aspektin negativ, prandaj është mirë që kjo dukuri të mbikëqyret, ose shteti t’i legalizojë. Në momentin kur e legalizon, atëherë është një kontroll mjekësor, janë shumë gjëra sikur e kanë të gjithë bota. Kjo kish me qenë më e favorshme sesa me punu ilegalisht, ku mund të zhvillohet edhe pedofilia ose forma të tjera”, thotë Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.
Sogojeva thotë se stafi i moteleve është i detyruar të marrë të dhënat e secilit mysafir, por kjo nuk zbatohet.
Sipas tij, nga 500 njësi akomoduese janë vetëm 207 hotele, të cilët e kryejnë këtë obligim.