Bekë Berisha: Prishtina ka nevojë për një “buldozer” si unë

Bekë Berisha: Prishtina ka nevojë për një “buldozer” si unë

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Bekë Berisha, komento kundërkandidatet e tij dhe theksoi se ai përfaqëson një qasje ndryshe nga ajo që kanë ndjekur, sipas tij, drejtuesit e mëparshëm të qytetit.

Berisha tha se garon si një alternativë konkrete që i jep fund premtimeve që nuk realizohen dhe qeverisjes që sipas tij është bërë “me xhentëlmenët e politikës”.

“Qyteti nuk ka nevojë për inxhinierë lulesh apo me i këqyr gjërat me dorashka. Prishtina ka nevojë për dikë që i zgjidh problemet në terren. Unë jam buldozeri që i kryen këto punë,” deklaroi ai.

I pyetur për dallimin që e bën nga emrat e tjerë në garë, Berisha theksoi se ai është më ndryshe se kundërkandidatët e tij.

“Unë jam i ndryshëm prej tyre. Ata kanë qenë pjesë e një qeverisjeje që e ka pasur Prishtinën në dorë. Përparim Rama, Uran Ismaili, Hajrulla Çeku – kanë qenë në pozita kyçe. Edhe pse kanë parti të ndryshme, kanë bashkëqeverisur e bashkëmenaxhuar. Në esencë, janë të njëjtë”, ka deklaruar Berisha.

Ai madje e quajti kandidatin e PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismailin si kopje Përparim Ramës.

“Uran Ismaili është kopja e Përparim Ramës. Janë njerëz të provuar, nuk e di qysh pretendon Uran Ismaili se ky nuk ka punu mirë, kur ka qenë bashkë me të në shumicën e projekteve”, tha Berisha.

Kandidati i AAK-së pati fjalë edhe për kandidatin e LVV-së, Hajrulla Çeku.

“Ky po dihet që ka kaos. Hajrullahu po thotë që unë kom me afru mirëkuptim, mos me pas bllokada mes partive. Po don mu afru si pajtues, por ky nuk duhet me harru se vjen prej një partie që e ka thellu përçarjen në Kosovë”, tha Berisha.

Sa i përket kandidates së PSD-së, Besa Shahini, Berisha e vlerësoi si kandidate të mirë.

“Është kandidate shumë e mirë, nuk ka ku me shku më mirë e artikulime, por Prishtinës i duhet një buldozer qysh jam unë për mi qit në rregull qeto punët e vrazhda pastaj mandatin tjetër pas 4 vjete mundet me ardh Besa Shahini me jap kontribut në sferën e arsimit dhe mbjelljen e luleve nëpër parqe”, tha Berisha.

Berisha tha se nuk hyn në garë për të qenë “drejtues imazhi”, por për të kryer punët që qytetarët i ndjejnë përditë.

“Unë s’jam me dalë në kafe me buzëqesh. Jam me hy me zgjidh hallet e qytetarëve. Nëse duhet me hap rrugë, hap rrugë. Nëse duhet me pastrua lagje, pastroj. S’kam frikë prej asnjë pune”, u shpreh kandidati i AAK-së.

Në fund të intervistës, ai theksoi se nuk e sheh veten si një figurë përçarëse, por si dikë që kërkon bashkëpunim të gjerë.

“Unë nuk kam vija të kuqe. Pajtoj njerëz, nuk i ndaj. Me gjithë kë do të punoj, nëse është për të mirën e Prishtinës”, tha në fund Berisha.

Related Articles