Pas ujdisë së kandidates së AAK-së në Fushë Kosovë Vildane Latifi, me kandidatin e VV-së në këtë komunë, Valon Prebreza e koalicionit të Xhafer Tahirit të LDK-së me LVV-në në Vushtrri, në horizont po duken edhe takime për marrëveshje të tjera të mundshme.
Kandidati i AAK-së për komunën e Prishtinës, Bekë Berishës është parë në një takim me kandidatin e LVV-së në komunën e Pejës Taulant Kelmendi i cili në balotazh pritet të përballet me Gazmend Muhaxherin e LDK-së.
Ata janë parë në njërën prej kafeneve në afërsi të qeverisë. Në tavolinë së bashku me ta është edhe sekretari i LVV-së në nivel qendror, Alim Rama.
Vet protagonisti i fotos, Bekë Berisha, në një përgjigje për Periskopin ka thënë se takimi ishte në Prishtinë, por që sa i përket balotazheve për Pejë, vendos vetë kryetari i Degës atje.
Berisha po ashtu tha se bindjet e tij politike janë të hapura.
“Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nuk e izolojë veten me ndejt me bisedu me cdo kënd prej qytetarëve të Kosovës, poashtu nuk fshehna qosheve nga askush. Bindjet e mia politike i flas hapur. Takimi ishte në Prishtinë në kafen ku unë rri për çdo ditë. Sa i përket aktualitetit të balotazheve, Ali Berisha është shefi jonë në Pejë, ai vendos çka bën atje”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim.
Ndryshe, Taulant Kelmendi kandidati i LVV-së që shihet në fotografi në zgjedhjet e 12 tetorit ka dalë i dyti me 27.81% pas Gazmend Muhaxherit të LDK-së, kryetarit aktual të kësaj komune i cili mori besimin e mbi 46% të qytetarëve dhe pritet të përballen sërish në balotazh me 9 nëntor.
Ndërsa kandidati i AAK-së në këtë komunë Ali Berisha, ka marrë 18.22% të votave në Pejë.