“Pa bërë largime, nuk do të ketë afrime”, pati deklaruar trajneri Mirel Josa përpara se Bekim Balaj të zyrtarizohej si sulmuesi i ri i Vllaznisë. Por, në merkato nuk kanë shumë rëndësi fjalët. Në fund kanë rëndësi vetëm veprimet dhe çfarë goditjesh bën. Vllaznia e ka bërë një goditje të rëndësishme, sepse Balaj është një lojtar i rëndësishëm dhe mund të shndërrohet në një pikë referimi për shkodranët tani e tutje.
Të kthehesh 32 vjeç në kampionatin shqiptar mund të quhet sakrificë në aspektin sportiv, sepse gjasat janë që po mendon ta mbyllësh karrierën atje ku e ke nisur.
Natyrisht, del edhe jashtë radarëve të ekipit kombëtar, pasi trajnerët kuqezi janë kryesisht të “dashuruar” me ata që luajnë jashtë Shqipërisë. Por, sakrificë të jashtëzakonshme ka bërë edhe klubi i Vllaznisë.
“Panorama Sport” zbulon se Balaj do të ketë një pagë prej 12 mijë eurosh në muaj për një kontratë 3-vjeçare. I gjithë transferimi llogaritet të ketë një kosto afro 430 mijë eurosh, ndërsa sulmuesi shkodran do të jetë pa diskutim futbollisti më i paguar i Superiores këtë sezon.
“Klubi i Futbollit Vllaznia në përmbushje të objektivave sportive, njofton se ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit për 3 sezone me lojtarin e Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj”, citohej në njoftimin e klubit shkodran.
Bekim Balaj ishte në fokusin e tri klubeve pretendente për titullin këtë sezon: Vllaznia, Tirana dhe Partizani.
“Demat” që kryesojnë aktualisht kampionatin, thjesht kishin bërë “sondazh”, por pa ndonjë këmbëngulje të madhe, ndërsa Tirana dhe Vllaznia po rivalizonin fort për shërbimet e shkodranit.
Gazeta mëson se edhe bardheblutë ishin të gatshëm që t’i jepnin afro 12 mijë euro në muaj shkodranit, por ama me një kohëzgjatje kontrate më të vogël (1.5 vite). Vllaznia e bëri diferencën pikërisht me këtë klauzolë: kontrata do të jetë 3-vjeçare.