Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka lëshuar një sërë akuzash të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke kërkuar sqarime mbi rolin e disa deputetëve të saj në hartimin e raporteve që, sipas tij, shërbyen si bazë për themelimin e Gjykatës Speciale.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ai ka kërkuar VV-së të tregojë se kush ishin deputetët që “financuan raportet shpifëse kundër UÇK-së”, dhe sa zyrtarë e anëtarë të kësaj partie kanë dëshmuar në Hagë kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pse Albin Kurti asnjëherë nuk i vizitoi të akuzuarit në Hagë, përfshirë as ish-shefin e grupit parlamentar të partisë së tij?”, pyeti Haxhiu, duke aluduar se Kurti ose ka qenë në dijeni, ose vetë ka shtyrë njerëzit e tij që të bashkëpunojnë me organizata të huaja për të dëmtuar imazhin e çlirimtarëve.
Ai përmendi gjithashtu një takim të pretenduar të Kurtit më 17 janar 2004 me vëllezërit Donqiq – njëri shef i BIA-s serbe dhe tjetri kapiten i ushtrisë serbe – si moment që ngre dyshime mbi qëllimet e Kurtit dhe VV-së.
“Në vitin 2015, gjahu i përbashkët i VV-së me Serbinë kundër komandantëve të luftës e vuri Kosovën para dy rrugëve të dhimbshme: themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ose nga OKB-ja me gjykatës rusë, kinezë e të tjerë,” theksoi Haxhiu.
Sipas tij, VV-ja dhe Kurti asnjëherë nuk kanë qenë realisht kundër Gjykatës Speciale, por kanë vepruar që ajo të mos themelohet nga Kosova, me qëllim që të mos kenë ndikim në proces.
“Përveç Serbisë dhe qarqeve antishqiptare, të vetmit që iu gëzuan arrestimeve të krerëve të UÇK-së ishin përkrahësit e Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes,” u shpreh Haxhiu, duke shtuar se ky fakt është i dokumentuar në qindra postime në rrjete sociale.
Ai akuzoi LVV-në për baltosje ndaj luftëtarëve të UÇK-së, për propagandë dhe për bashkëpunim me forca që, sipas tij, kanë pasur gjithmonë qëllime kundër Kosovës së lirë.
Në fund, Haxhiu kërkoi që “ata që bashkëpunuan me djallin kundër UÇK-së duhet të ndiqen penalisht”, duke pretenduar se ka shumë të tillë brenda Vetëvendosjes.
Këto deklarata vijnë në të njëjtën ditë kur Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku ishte kërkuar që të hidhen poshtë akuzat për ngjarje të ndodhura para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.