Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës që të ngre kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Sipas Haxhiut, kallëzimi penal duhet të ngritet për nxitje të urrejtjes dhe linçimit të pjesëtarëve të UÇK-së.
Në një postim në Facebook, Haxhiu gjithashtu ka thënë se kryeministri Kurti duhet ta shkarkojë Muratin dhe të distancohet nga deklaratat e tij.
“Për herë të parë deklaratat e Hekuran Muratit për UÇK-në i kam lexuar sot dhe një ofendim i tillë është i pafalshëm”, ka shkruajtur ai.
Postimi i plotë i Haxhiut:
Prokuroria e Kosovës duhet të ngre kallezim penal kundër ministrit Hekuran Murati, për nxitje të urrejtjes dhe linçimit të pjesëtarëve të UÇK-së.
Albin Kurti duhet menjëherë ta shkarkojë Hekuran Muratin dhe të distancohet nga deklaratat e tij nxitëse të urrjetjes dhe ofenduese ndaj veteranëve të UÇK-së.
Për herë të parë deklaratat e Hekuran Muratit për UÇK-në i kam lexuar sot dhe një ofendim i tillë është i pafalshëm.
Gjuha përçmuese ndaj luftëtarëve që shumë nga ta janë dëshmorë, tregon për urrejtjen e një ministri psikopat të cilit i pengojnë luftëtarët e gjallë të UÇK-së.
Një person i tillë nuk e meriton me qenë zyrtar i thjesht e lëre më ministër që menaxhon me buxhetin e shtetit, themelet e të cilit janë në gjakun e dëshmorëve të UÇK-së.
Prokuroria të nisë padi ndaj Hekuran Muratit:
Kodi Penal i Kosovës
Neni 141
Nxitja e përçarjes dhe mos durimit
Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.