Bekim Jashari ka zgjedhur fjalët më të veçanta për të uruar fejesën e djalit të tij, Hamzës. Në një postim në rrjetet sociale, ai e ka lidhur këtë gëzim familjar me historinë dhe sakrificën për liri, duke e quajtur këtë ngjarje “triumfin e dytë të familjes”, pas betejave për mbrojtjen e pragut të shtëpisë 28 vjet më parë.
Ai rikujton fjalët e Hamëz Jasharit se kjo tokë “veç këmbën e shqiptarit e duron”, duke i dhënë një dimension historik dhe kombëtar gëzimit familjar.
Postimi i plotë:
Në ditën që shënon triumfin e dytë të familjes sonë, pas ballafaqimit për ruajtjen e pragut të shtëpisë dhe dhënien e kushtrimit se armiku i ka ditët e numëruara në këtë tokë që, siç thoshte babushi, “veç këmbën e shqiptarit e duron” , familja jonë po rritet dhe po begatohet çdo ditë.
Hamëza, që mban me krenari emrin e babushit, u fejua me Enesa Imeri, në Kosovën e lirë, këtë Kosovë që u ndërtua mbi themele të forta, themele që u hodhën para së gjithash nga të rinjtë dëshmorë të cilët sakrifica për liri i bëri të pavdekshëm.
Gëzime të tilla në familjen tonë na zgjojnë kujtimin e babës Shaban, Kryekomandantit Ademit dhe Babushit, që betejën për liri e kthyen në dasmë përjetësie. Edhe në mes të betejës tre-ditore, kënga nuk pushoi kurrë.
Hamëz dhe Enesa, urime fejesa,
Ju urojmë jetë të gjatë, të mbushur me dashuri, lumturi dhe harmoni!
