Belgjikë: Tre shqiptarë të akuzuar për trafik droge arratisen nga gjykata

Belgjikë: Tre shqiptarë të akuzuar për trafik droge arratisen nga gjykata

Tre shqiptarë, të akuzuar për përfshirje në një rrjet të organizuar të trafikut të drogës në qytetin e Gentit në Belgjikë, nuk janë paraqitur në gjykatë dhe dyshohet se janë arratisur drejt Shqipërisë, duke humbur kështu edhe garancitë financiare.

Mediat belge raportojnë se gjatë hetimeve autoritetet zhvilluan kontrolle në disa banesa.

Në një apartament në Edward Pynaertkaai u gjetën prova që lidhen me kontabilitetin e aktivitetit të drogës, si dhe para cash dhe lëndë narkotike. Ndërkohë, në rrugën Oosteeklostraat u sekuestruan 169 gramë kokainë dhe 4 mijë euro, ndërsa në një adresë tjetër në Hagelandkaai u gjetën edhe 119 gramë kokainë.

Prokuroria vlerëson se provat tregojnë për ekzistencën e një rrjeti të mirëorganizuar kriminal, ku njëri prej të pandehurve dyshohet të ketë pasur rol drejtues, ndërsa dy të tjerët kanë vepruar si zbatues. Për ta janë kërkuar dënime të rënda, deri në 40 muaj burgim si dhe gjoba që arrijnë në 8 mijë euro, si dhe konfiskim të pasurisë,

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës i kundërshtuan akuzat, duke pretenduar mungesë provash për një organizim të strukturuar kriminal dhe duke kërkuar masa më të lehta.

Megjithatë, mungesa e të pandehurve në seancë ka çuar në humbjen e garancive financiare prej 10 mijë dhe 8 mijë eurosh që ata kishin depozituar për të qëndruar në liri.

Related Articles