Karim Benzema është pyetur për vendimin e Kylian Mbappe për të qëndruar në Paris Saint-Germain sezonin e ardhshëm, ndërsa nuk ke hezituar tani të flasë.
Lojtari i Real Madridit, i cili pak ditë para finales së Ligës së Kampionëve nuk donte të fliste për këtë çështje, këmbëngul se marrëdhënia e tyre nuk ndikohet nga zgjedhja e të riut.
“Do të kisha dashur që ai të kishte qenë në gjendje të përmbushte ëndrrën e tij për të luajtur për Real Madridin, duke qenë së bashku”, ka thënë fillimisht Benzema për Telefoot.
“Ai zgjodhi PSG-në, ne duhet ta respektojmë atë . Është zgjedhja e tij, ai ka shumë përgjegjësi”.
“Do të kënaqemi duke luajtur së bashku në kombëtare. Secili bën zgjedhjet e veta”.
Kishte shumë spekulime se Benzema ishte i mërzitur nga rinovimi i Mbappes me PSG-në pas disa mesazheve të fshehta që ai postoi në mediat sociale.
Megjithatë, Benzema nuk ka dyshim se miqësia do të mbetet e fortë mes të dyve.
“Real Madridi është Real Madridi, nuk jam i zhgënjyer. Ne jemi miq të mirë, kjo nuk do të ndikojë në marrëdhënien tonë”, përfundoi ylli francez.