Ish-kryeministri i Shqipërisë, tani kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në emisionin Kojshia Show, ka folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës për çështjen e targave si dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë.
Berisha ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, duhet ta dijë se në çdo rast kërcënime nga Serbia, shqiptarët do të reagojnë si një komb i vetëm.
“Çdo kërcënim i tij duhet hedhur poshtë dhe ai duhet ta dijë që shqiptarët, në çdo rast do të reagojnë si komb i vetëm. I bën hesapet shumë gabim në këtë drejtim. Shqiptarët janë eprorë, kanë epërsi të plotë ndaj serbëve si komb. Kanë kauzë të drejtë, pastaj po të jetë puna për të luftuar, u faktua, janë të fundit që luftuan në Evropë, Serbia ishte e armatosur me të gjitha mjetet, por humbi luftën, firmosi kapitullimin. Sigurisht që ishte NATO faktor madhor, por shkak kryesor ishte qëndrimi i Serbisë”, ka thënë kreu i PD-së.