Berisha kërkon dëmshpërblim për banorët e Thethit

Berisha kërkon dëmshpërblim për banorët e Thethit

Teksa vazhdon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje, kryetari i PD-së, Sali Berisha, vijon akuzat ndaj qeverisë shqiptare. Situatën në Theth e konsideron terror, ndërsa ka kërkuar që të dëmshpërblehen banorë.

“Ai është sjellë me Thethin dhe Dukagjinin si një pushtues i egër. Nuk ekziston asnjë pëllëmbë tokë e nxanun. Tokën ata e kanë trashëgimi. Kërkoj dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura”, tha ai.

Sipas Berishës, aksionet e ndërmarra në veri nga kryeministri Rama kanë një histori nga pas.

“Ky e urren veriun, e urren Shkodrën, e urren zonën”, tha ai.

Reformën në strukturat e pushtetit vendor, Sali Berisha e konsideron një cenim të autonomisë vendore, duke paralajmëruar se PD do të ndërhyjë, raporton Tv Klan.

“Sillet tani si kryetari i bashkisë së Shqipërisë. Kryetarët e bashkive të djathta, qëndrimin e tyre duhet ta bazojnë në Kushtetutën. Aspak udhëzimet e partisë. Sigurisht që këtë, ne do ta ndjekim me të gjitha mekanizmat tona që kemi”, tha ai.

Foli edhe për votën e emigrantëve, duke sjellë raste konkrete që, sipas tij, konfirmojnë manipulimet që janë bërë në diasporë.

“Ishte Edi Rama vetë personalisht që ka urdhëruar DHL-në të marrë nënkontraktorë, gjë për të cilën ne nuk e pranonim kurrë”, tha ai.

Në akuza nuk kurseu as kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, pasi, sipas kryetarit të PD, është bashkëfajtor për sa kohë nuk vë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar.

Related Articles