Kandidati për kryeministër nga radhët e PD-së, Sali Berisha gjatë tubimit elektoral në Lezhë, akuzoi kryeministrin aktual, Edi Rama, që votat po i blen me kanabis.
Tutje, ai paralajmëron Pjerin Ndreun, se qeveria e PD-së do ta shpallë terroristë
“Të dashur miq, në histori ne kemi qenë edhe më të varfër se sot. Kemi përjetuar mynxyra të mëdha, diktaturën më të egër. Kemi përjetuar luftëra. Në Luftën e Parë Botërore, 6 fuqi të huaja kanë hyrë në Shqipëri. Po kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur djepe bosh si sot”, tha Berisha.
“620 mijë të rinj u larguan nga viti 2014 deri në vitin 2023. E dëgjuat mësuesin e nderuar? Të njëjtën çështje shtronte një mësues tjetër në një rreth tjetër. Pra, largimi i këtyre të rinjve për shkak se nuk gjejnë punë, për shkak se nuk kanë vlerësim, për shkak se ëndrrën e tyre detyrohen ta ndjekin jashtë vendit. Mbeten në vetmi qindra mijëra familje dhe në një vetmi të vështirë. A ka mundësi të pranojmë ne një situatë të tillë? Jo, kurrë”.
“Në qoftë se ecim në këtë mënyrë, fara jonë do zhduket. OKB njoftoi se kemi treguesin më të ulët në botë të lindjeve. Kurrë nuk do e kisha besuar se ky tregues është kaq katastrofik, por është i vërtetë. Miq, pra një e keqe e madhe po na përpin. Një apel i thellë nga thellësia e shpirtit na fton që ta ndalojmë me çdo kusht dhe çdo çmim. T’u kthehemi përpjekjeve titanike për të sjellë kombin në rininë e tij. Çfarë u thoshte? Sepse këta të rinj nuk ikin nga ne se nuk na duan. Por këta të rinj nuk jetojnë dot”.
“E dëgjuat vetë, tre ditë u thoshte në Tepelenë se për ju mandatin e katërt do u japim 2 kg farë kungulli të qëruar. A nuk ishte kjo edhe një apel që ikni edhe ju? Pra, këto 100 ditë o miq janë jetike, po më jetike se çdo gjë është dita 11 Maj. Më 11 Maj, as unë, as ju dhe asnjëri prej nesh nuk ka pasur votë më të rëndësishme për fatin e shqiptarëve. Një komb pa të rinj nuk ka të ardhme. Kështu që t’i thërrasim gjakut tonë, t’i thërrasim shpirtit tonë, të mos pranojmë këtë të keqe të madhe. Është një kushtrim që buron nga shpirti i çdo atdhetari, nga shpirti i çdo qytetari jashtëpartiak”, u shpreh tutje ai.
“Miq, Lezha qëndron si kryeura të lidhjes së kombit tonë me Perëndimin. Këtu u lidh besa, prijësi ynë i përjetshëm u bë një mbrojtës i vlerave dhe qytetërimit perëndimor. Ndaj dhe sot është kohë bese, është kohë që të vendosim, por edhe të dëgjojmë. 4 rezoluta nga të gjitha forcat politike konservatore të botës që e damkosin Edi Ramën si armik të votës suaj. Në Valencia, partitë që udhëheqin Evropën, u tha se Edi Rama shtyp opozitën me drejtësinë e tij. Shtyp pluralizmin. U tha se Edi Rama blen vota me lekë.
“Po pse e thanë? Sepse kanë parë vendimin e qeverisë që shpërndan 100 euro. U tha se Edi Rama blen vota me kanabis. U tha se Edi Rama blen vota me punësime sepse e kanë parë se ka punësuar mijëra vetë për të blerë vota. U tha se Edi Rama terrorizon qytetarët e tij me banditë dhe vrasës. Dhe ja ku jam këtu para jush për t’i thënë këtij Pjerinit që i menaxhon… Pjerin, edhe atij Vinçenc Tukut që blen vota në Troshan. Vinçenc, Pjerin, cilido prej jush do shpalleni terroristë”.
“Ju garantoj se qeveria e PD, të gjithë ata që guxojnë t’u kërcënojnë ju, që guxojnë t’u diktojnë vullnetin tuaj, ata do shpallen terroristë dhe do trajtohen me ligjet e terrorizmit. U them sot këtyre banditëve, se lufta juaj është luftë me mullinjtë e erës se nuk ka gjë në botë që mund të mposhtë lezhjanët dhe shqiptarët në betejën e tyre për rikthimin e demokracisë”, përfundoi Berisha.