Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha, ka thënë se janë të panevojshme reagimet ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian, siç ishte sot nga përplasja mes presidentes Vjosa Osmani dhe Josep Borrell, Komisionarit të Politikës së Jashtme të BE-së.
Ai në Info Magazine ka deklaruar se reagimet e tilla bëhen më shumë për konsum të brendshëm.
“Këtu është fjala për dhurata që janë dhënë nga BE-ja dhe pak a shumë kjo mendësi ka të bëjë me atë se “pse nuk më ke dhuruar mua më shumë ose barabartë me të tjerët”. Mendoj se është e panevojshme që ne të futemi në këso lloj debatesh me njerëz që përfaqësojnë elitën e strukturës diplomatike të Evropës”.
“Ka kanale të tjera ku shpallet pakënaqësia pa pasë nevojë që debatet të bëhen publike, kam frikë se këto debate më shumë po bëhen për nevoja të brendshme, replikimeve me diplomatë të rangut evropianë dhe amerikanë, Kosova është mirë t’u ik atyre replikave. Evropa është një familje që ne duam të bëhemi pjesë, ata nuk kanë nevojë për ne, por jemi ne që kemi nevojë për ata. Preferoj një shmangie nga kjo lloj qasje ndaj tyre, në fund të fundit menaxhimi i vaksinave e dimë çfarë është ne nuk duhet të gjejmë fajtor tek të tjerët”, ka thënë Berisha.
Osmani është shprehur e pakënaqur me shpërndarjen e vaksinave anti COVID-19. Ajo ka pasë një përplasje me Borrell, gjatë Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë, njofton Klankosova.tv.
“Nuk e shoh si momentin e duhur për të drejtuar gishtin drejt njëri-tjetrit, përkundrazi, që së pari të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë dhe së dyti t’i trajtojmë sfidat që i kemi kaluar. Zotëri Borrell e përmendi iniciativën e COVAX nga e cila ka përfituar edhe Kosova. Por ndërkohë që përfitonim e kemi parë se jo secilën herë shpërndarja ka qenë e barabartë”, është shprehur Osmani.