Berisha: Rama nuk mund ta mbyllë çështjen për Ballukun

Berisha: Rama nuk mund ta mbyllë çështjen për Ballukun

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ditën e sotme me një videomesazh ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po mbron me çdo kusht Belinda Ballukun.

Berisha deklaroi se “çështja Balluku është çështja Rama” dhe se ajo nuk mund të mbyllet pa largimin e tij nga pushteti.

“Çështja Balluku është bërë një çështje ndërkombëtare dhe Edi Rama nuk mund ta mbyllë atë në parlamentin e tij”, theksoi ai.

Ai kritikoi gjithashtu projektin për zhvendosjen e Portit të Durrësit drejt Porto Romanos, si dhe çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, duke e krahasuar me atë në Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Berisha theksoi se çmimi i lartë i naftës është asgjë më shumë se sa “çmimi Rama”.

“Porti që ai ka planifikuar në Porto Romano është të paktën 4 herë deri në 8 herë më i vogël dimensione se sa me portin aktual të Durrësit dhe është mbi 15 herë më i vogël se sa Porti i Selanikut. Sipas emailit që ai ka marrë nga Dhoma e Tregtisë Amerikane është dhjetëra, dhjetëra herë më i vogël se sa Porti i Pireut”, tha Berisha, transmeton ATSH.

Sa i takon çmimit të naftës, Berisha tha se faktori kryesor janë taksat e larta.

Ai bëri sërish thirrje për protestën e 22 marsit.

“Ndaj dhe të bashkohemi për këto arsye t’i japim përgjigje përfundimtare në datë 22 mars pasi me këtë individ, me këtë me këtë qeveritar që nuk ka standard, normë as moral”, tha Berisha.

Related Articles