Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar ashpër pas ndalimit të disa të rinjve gjatë protestës së djeshme, duke theksuar se mes të arrestuarve janë edhe dy shtetas nga Kosova, të cilët, sipas tij, ndodheshin në Shqipëri si turistë.
Në një deklaratë për media, Berisha tha se bëhet fjalë për “provokacione dhe terror policor” ndaj të rinjve që, sipas tij, nuk kanë kryer asnjë akt dhune.
Sipas Berishës, gjithsej janë ndaluar 10 persona, ndërsa katër prej tyre janë arrestuar: Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi dhe Xhejson Prendi. Ai theksoi se dy nga personat e arrestuar janë kosovarë, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për qëllime turistike.
“Dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur, të cilët janë arrestuar nga policia sapo është mësuar se janë nga Kosova, me qëllim që të akuzohen edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta. E vërteta është se ata kanë ardhur si turistë dhe kanë qenë këtu pas përfundimit të protestës”, tha Berisha.
Ai shtoi se kosovarët e arrestuar kishin bërë fotografi në zonë dhe se njëri prej tyre i kishte thënë se është djali i një luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Tani edhe ky person është arrestuar”, u shpreh Berisha, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Berisha i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të mos përdorë dhunë ndaj protestuesve dhe të veprojë në përputhje me ligjin.
“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar dhe paralajmëroj policinë të mos prekë me dorë protestuesit”, tha ai.
