Kryeministrja e Serbisë, Ana Branbiq, ka akuzuar organizatat jo qeveritare serbe se s’po reagojnë rreth asaj që Bërnabiq e quan situatë në prag të konfliktit të armatosur në veri të Kosovës.
Pikë së pari rreth arrestimit të ish-pjesëtarit të policisë kosovare, Dejan Pantiq i cili nga autoritetet kosovare dyshohet se ka kryer vepër terroriste e sulm kundër rendit kushtetues.
“Ju keni organizata jo qeveritare këtu në Serbi të cilat në heshtje shikojnë se qysh një person serb i Kosovës, po njëjtë të ishte edhe shqiptar i Kosovës, është prangosur pra kidnapuar dhe qe 12 ditë po mbahet në robëri. Qysh është e mundur të mos reagojnë, në mënyrë njerëzore”, theksoi Bërnabiq, për TV PINK.
Shefja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, me seli në Beograd, Sonja Biserko, thotë se pushtetarët serbë e kanë një pjesë të sektorit civil në anën e tyre që e përkrahë në qëllimin për atë që ajo e quan “ndarjen e Kosovës”.
“Kjo pjesa e dytë e sektorit civil ku bënë pjesë edhe Komiteti i Helsinkit është fort i vetëdijshëm se çka po bënë Beogradi momentalisht në veri të Kosovës. Mendoj se ajo zonja nuk është fort e njoftuar me konceptin e të drejtave të njeriut”.
Biserko pohoi se Beogradi ka marrë kërkesa e paralajmërime nga NATO, Amerika dhe disa qeveri të shteteve që të veprojë për t’i hequr barrikadat dhe se durimi sipas saj po soset.
“Kështu që Bërnabiq ka pranuar një detyrë që të merret me te gjithë ata që në njëfarë mënyre kritikojnë pushtetin në Beograd. Nga Gabriel Escobar, te ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, pastaj ambasadorja gjermane këtu, dhe politikanë tjerë që shumë shpesh po shfaqin padurim me mosvendosmërinë e Beogradit që të marrë vendime se në cilën anë është”, theksoi Biserko, në intervistë për Klan Kosova.
E Natasha Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, duke folur për kërkesën e kryeministres serbe theksoi se barrikadat në veri të Kosovës duhet të hiqen.
Nëse jo nga ata që i vendosën sipas saj këtë punë duhet ta kryejë KFOR me përkrahje politike nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, i cili siç thotë Kandiq, me këmbëngulje thotë se nuk e di kush i vendosi barrikadat.
Më 10 dhjetor disa serbë lokalë duke kundërshtuar pikërisht arrestimin e ish-policit kosovar Pantiq, vendosën barrikada në dy rrugë që dërgojnë nga Mitrovica në Zveçan, e Leposaviq, dhe në Zubin Potok.