Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha sot se nuk ka argumente në projekt-rezolutën që do të paraqitet nesër në Parlamentin Evropian dhe se në tekst mund të lexohet gjithçka, përveç se siç tha ajo “serbëve në Kosovë iu ndalua që të votonin”.
“Në këtë rezolutë nuk është përmendur asnjë shkronjë, asnjë fjalë. Nuk do të gjeni që Albin Kurti ua ka ndaluar serbëve në Kosovë të votojnë. Nuk ka një gjë të tillë në këtë rezolutë të PE-së. Nuk do ta përmendni votën në veri të Kosovës. Mendoni se është një temë e parëndësishme për PE-në? Mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme është kur flasim për sundimin e ligjit, parimet ndërkombëtare, normat ligjore”, tha ajo për TV Happy.
Bërnabiq theksoi se rezoluta i bën thirrje Komisionit Evropian të ndalojë negociatat e para-anëtarësimit me Serbinë nëse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.
“Me këtë rezolutë, e cila do të miratohet nesër në Parlamentin Evropian, ku do të përfshihen edhe përfaqësues të opozitës së Gjilasit, Komisionit Evropian i kërkohet në mënyrë eksplicite që të ndalojë integrimin e Serbisë në BE derisa të vendosim sanksione ndaj Federatës Ruse. Kjo është një tjetër gjë e rëndësishme që kërkoj nga qytetarët që të kujtojnë për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë dhe çfarë është natyra e kësaj rezolute”, tha Bërnabiq.
Ajo shtoi se edhe Komisionit Evropian i kërkohet që të jetë më pak i butë ndaj Serbisë.
Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, Kosova vendosi që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 17 dhjetorit në territorin e saj.