Bërnabiq e quan ambasadorin gjerman të pafytyrë për shkak të deklaratës së tij për barrikadat

Bërnabiq e quan ambasadorin gjerman të pafytyrë për shkak të deklaratës së tij për barrikadat

Në përpjekje të tregohet sa më besnike ndaj propagandës së Vuçiqit kundër Kosovës dhe botës demokratike, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i ka tejkaluar të gjitha kufijtë e sjelljes diplomatike duke e zëvendësuar gjuhën diplomatike me atë të rrugës.

Ajo ka pretenduar se deklarata e ambasadorit gjerman në Kosovë se barrikadat janë të paligjshme dhe se ato duhet të hiqen deri në Krishtlindje është “brutale dhe e pafytyrë”.

Bërnabiq ka deklaruar për televizionin serb “TV Pink” se serbët në barrikada “me sjelljen e tyre dinjitoze” po e ndihmojnë Beogradin që të arrijë një “zgjidhje paqësore” dhe se është e pabesueshme që kemi deklarata nga ambasadori gjerman i cili dërgon mesazhe “të pabesueshme” për të gjitha ngjarjet”, dhe me këtë bën me dije se gjithë kjo dhunë dhe bllokim i rrugëve në veri të Republikës së Kosovës po ndodh pikërisht me urdhrin e regjimit të Beogradit për interesat e tij e jo siç pretendojnë, për interesat e serbëve të Kosovës.

Kryeministrja i dërgoi “një përshëndetje të madhe” serbëve të Kosovës, sepse, sipas fjalëve të saj, “ata luftojnë me dinjitet dhe nuk u nënshtrohen provokimeve, të cilat ndihmojnë Beogradin që të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për të luftuar për paqen dhe të drejtat themelore të njeriut të serbëve në Kosovë”.

“Dhe mbi të gjitha, kemi deklaratat brutale dhe të pafytyrë të ambasadorit gjerman në Kosovë, i cili me intervistën e djeshme na dërgoi mesazhe të rëndësishme. E para është se barrikadat janë të paligjshme. Është e paligjshme që serbët kërkojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mesazhi tjetër është se barrikadat duhet të hiqen sepse po vijnë festat e Krishtlindjes”, dhe shton se “është e qartë se për ambasadorin gjerman janë të rëndësishme Krishtlindjet e tij në mënyrë që ai të mund të shkojë në shtëpi për të pushuar, për këtë edhe i pengojnë barrikadat”.

Bërnabiq thotë se “do të ishte me vend sikur ai të shpjegonte deri në cilën Krishtlindje, sepse ka një dallim të konsiderueshëm në kohë mes, sipas saj, “Krishtlindjeve tona dhe atyre të tyre”, dhe është ankuar se “nuk ka as një minimum respekti për serbët”.

Ajo thotë se institucionet ndërkombëtare nuk janë të interesuara se për çfarë janë vendosur barrikadat.

Related Articles