Kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, duket se nuk i ka pëlqyer fare deklarata e ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Kjo e fundit, duke reaguar për situatën në veri, fajin ia vuri Serbisë, ndërsa shtoi se edhe ideja për “dërgimin e forcave serbe në Kosovë” është e papranueshme.
E Bërnabiqi, duke iu përgjigjur kryediplomates gjermane në Twitter, tha se Serbia po kërkon vetëm respektimin e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për dërgimin e forcave policore e ushtarake në Kosovë.
Ajo madje e kritikoi Baerbockun dhe homologët e saj të vendeve të G7-ës se po bëhen selektivë në lidhje me respektimin e rezolutave të KS të OKB-së.
“Në komunikatën e fundit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të G7 (14 maj 2022), në adresimin e çdo problemi apo krize në botë (Libi, Siri, Jemen, Somali, etj.) ata kanë kërkuar zbatim të rreptë të Rezolutave respektive të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (RKSKB). Tani, çuditërisht, MPJ-ja e Gjermanisë po thotë shprehimisht se Rezoluta 1244 e KS të KB-së – e cila përcakton se Serbia ka të drejtë të kërkojë kthimin e një numri të caktuar të forcave të saj të sigurisë” në Kosovë, “duhet të injorohet, sepse është ‘e papranueshme’”.
“Për sa i përket të drejtës ndërkombëtare dhe stabilitetit, në bazë të cilave kritere vendosni se cila Rezolutë duhet të respektohet dhe cila duhet të injorohet – p.sh., në rastin e Libisë, Rezoluta 2571 e KS të OKB-së duhet të respektohet, por në rastin e Serbisë, Rezoluta 1244 duhet të injorohet? Nivel mahnitës i absurditetit”, shkroi kryeministrja serbe.
Ndër të tjera, ajo tha se “ajo që dëshirojnë serbët” në Kosovë është “paqja dhe stabiliteti”.
Për fund, ajo nuk e la pa e fajësuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar në veri.
“Diçka e fundit: nuk do të kishte tensione që duheshin ulur nëse Kurti do t’i respektonte marrëveshjet dhe nuk do t’i shkelte ato në mënyrë të njëanshme”, përfundoi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.