Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka thënë se dje në takimin në Bruksel me përfaqësuesit e Kosovës, ‘Serbia tregoi se sa e përkushtuar është për ruajtjen e paqes në rajon’.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Bërnabiq u shpreh se serbët nga Kosova duan vetëm sundimin e ligjit, respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, shkruan kosovo-online.
“E vetmja gjë që dëshirojmë dhe e vetmja gjë që dëshirojnë serbët nga Kosova dhe Metohia është zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe asgjë më shumë, asgjë më pak se kaq. Vlerat supreme të BE-së, pastaj respektimi i plotë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura është pikërisht ajo vlerë supreme dhe tregues i sundimit të ligjit. Pikërisht ajo që ne kërkojmë”, tha Bërnabiq.
Ajo tha se mbrëmë kanë biseduar deri vonë në presidencë me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
”Presidenti Vuçiq e mbajti atë takim dhe kërkoi edhe një herë paqen, që serbët nga Kosova dhe Metohia të mos bien në asnjë provokim, se është e rëndësishme të tregojmë se sa kujdesemi për stabilitetin”.
Ajo ka falënderuar edhe presidentin Vuçiq për siç tha, mënyrën se si e prezantoi politikën serbe dje në Bruksel.
”Ai tregoi se ne jemi të gjerë në kuptimin tonë të kompromisit dhe se sa shumë kujdesemi për vazhdimin e dialogut, në mënyrë që të dekurajojmë të gjitha përpjekjet për destabilizim në këto fusha”, tha Bërnabiq.